Si dukeshin grupet e famshme shqiptare të viteve ’80-’90

Si dukeshin grupet e famshme shqiptare të viteve ’80-’90

Grupi “Shook”

Grupi “Shook” (nga anglishtja: shock = goditje, shkundje)! Krijuar rreth viteve ’84 – ’85 nga djemtë me flokë të gjata si: Ilir Ibrahimi, Gazmend Sulo, Abaz Zusi, Neritan Molla, Fabian Asllani, Markelian Kapedani, Mentor Mezini, Luan Xhemali etj. “Legjendën në duar e kam” ishte një ndër hitet me të cilën ata konkurruan në festivalin e “RTSH”-së.


“Djemtë e Detit”

Një nga grupet e rrokut shqiptar të krijuar që në vitin 1990, dhe një ndër të rrallët që ka pasur sukses të jashtëzakonshëm. I krijuar në Lezhë, muzika e tyre e hershme kishte ndikime ndoshta nga hard-rroku dhe metali, që ishte shumë aktual në mesin e viteve ‘80 në të gjithë botën. Prezent në skenën e muzikës, tani për më shumë prej 20 vjet, hiti i tyre më i madh mund të konsiderohet kënga “Mos qaj”, por pa përjashtuar hite te tjera si “Lamtumirë”, “Jo Tani”, “Kohë pa ty”, “Baladë për Jakup Ferrin” etj.


Grupi “ARB”

Ishte viti 1991 kur Redon Makashi, Bledar Sejko, Roland Fusha e Mit’at Laro, krijuan grupin e tyre “ARB”, si një shfaqje artistike e të rinjve pas shkëputjes nga totalitarizmi dhe boshti i famshëm ideologjik. “Rruga me fllad kujtimesh” do mbetet për shumë vjet himni i rrugës që kalon nga kryeministria, tek Radio-Televizioni Shqiptar e në fund tek Liceu Artistik “Jordan Misja”. Ajo quhej rruga e liceut edhe tani për disa ende ashtu quhet është blatuar në kujtesën e brezave, me anë të vargjeve të këngës së kantautorit Makashi.

Ritfolk

Ritfolk kanë qenë pjesëtar Altin Goci, Sajmir Braho, Blendi Dafa, Aleks Mazniku, Elinor Butka, Artan Lokja dhe Enris Qinami. Në festivalin e dhjetorit të vitit 1991 u vlerësuan si grupi më i mirë. Bashkëpunimi i tyre finalizoi në albumin e parë dhe të vetëm “Drejt fatit tim”. Në ’97-ën famëkeqe grupi shpërbëhet. Gjithsesi duke lënë pas një trashëgimi të shkëlqyer këngësh legjendë tashmë, si “Drejt fatit tim”, “Ëndërroj”, “Dëshirë dhe heshtje”, “Hija”, “Cilët jemi”, “Ndjenjë e dashuruar”, etj.

“Tingulli i Zjarrtë”

Tingulli Zjarrtë, një ndër grupet më të hershme e ndër grupet e para që ka formuar kantautori Elton Deda. Fryma e qëndresës karshi ç’do shfaqeje diktatoriale, karshi ç’do gjurme të sistemit të përmbysur, edhe sot gjendet në mendësinë e Shqipërisë moderne…E duam jetën ndaj na lini të jetojmë…thotë kënga legjendë “Na lini të jetojmë” e grupit në fjalë. Pak kohë pas suksesit me “Tingulli Zjarrtë”, Elton Deda bashkohet me artistë të tjerë, shumë në zë sot, si Bledar Sejko (kitarë), Mit’at Laro (basist), Roland Fusha (baterist), Alban Laro (organo) dhe Artan Xheladini (kitarë), për të formuar atë që legjenda e njohu si grupi “Thunderway”.