21 Nën Pesë vjet pa yllin shqiptar të këngës Vaçe Zela, kujtime nga dita e lamtumirës së fundit dhe vepra e saj
-Pesë vite më parë, më 6 shkurt 2014, në orët e para të ditës, u shua në Bazel të Zvicrës nga një sëmundje e rëndë Vaçe Zela. Ajo kishte zërin e rrallë të flladeve dhe të ujëvarave pranverore, të lakueshëm në të gjitha perkusionet e saj natyrore. Ky zë për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut.
“Kjo është një dhimbje që përçohet në trajtën e një humbjeje të përbashkët. Është shuar diçka, brenda kujtdo që e ka njohur. Kur këndonte Vaçe Zela, ekrani bardhezi merrte shkëlqim vezullues. Vaçe Zela la të kyçur zërin e saj në rrethin e kujtesës bardhezi. Është shuar brenda nesh një yll magjepsës”. Kështu shkruante kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, 5 vjet më parë në ditën e largimit nga jeta të Vaçe Zelës. Vaçe Zela, ylli i këngës shqiptare u shua më 6 shkurt të vitit 2014 në Bazel të Zvicrës. “Faleminderit, Vaçe Zela që ekzistove për secilin prej nesh, atëherë kur ekzistenca jonë ishte ngrirë dhe zëri yt na tregonte fshehur mrekullinë e të jetuarit të kësaj bote”. Kështu i shkruante më tej kryeministri shqiptar, ndërsa zhvillohej një ceremoni shtetërore madhështore në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku dedikimet, lotët, lulet, nuk mbaronin në lamtumirën e fundit të Vaçe Zelës.
Vaçe Zela kishte zërin e rrallë të flladeve dhe të ujëvarave pranverore, të lakueshëm në të gjitha perkusionet e saj natyrore. Ky zë për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut. Vaçe Zela që në vitin 962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë” ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgim vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.
E papërsëritshmja Vaçe Zela
“E papërsëritshmja Vaçe”, titullohet një libër i shkruar nga Violeta Librazhdi-Kadzadej, mikesha e fëmijërisë së këngëtares së madhe. I pasuruar me biografinë dhe kujtimet nga jeta e këngëtares së madhe ky libër vjen si një prekje emocionale që të tërheq me një ndjesi malli në dimensionet njerëzore të një artisteje që dintë të rrëmbente zemrat e njerëzve me zërin e saj. Duke kujtuar yllin e muzikës shqiptare, Vaçe Zela, e cila nëse do të kishte lindur në një kohë tjetër dhe jo në diktaturë do të kishte pushtuar qiejt e botës. Nga shoqja e fëmijërisë Violeta mësojmë më shumë rreth biografisë së artistes.
Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit.
Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare, ku ka fituar 10 herë Çmimin e Parë. Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjojmë tek filmi “Në shtëpinë tonë”. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Gjithashtu ajon mbante edhe titullin “Artiste e Popullit”.
Materialet muzikore që Vaçe Zela interpretoi gjatë gjithë krijimtarisë në Radio- Tiranë, me rastin e 70-vjetorit të lindjes iu regjistruan në CD-në “Larg dhe pranë njerëzve”. Numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH. Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj. Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj. Përfundimisht u largua nga skena në vitin 1990. Vaçe Zela u lind ne Lushnje më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë të skenës shqiptare.
Rrëfimi i mikes së fëmijërisë Violeta Kadzadej pas vdekjes
Në librin “E papërsëritshmja Vaçe” Violeta Librazhdi-Kadzadej na sjell para syve Vaçe Zelën fëmijë dhe trishtimin për ndarjen nga jeta.
“Shkruar në shkallët e operës, 8 shkurt 2014, ora 11:00 Tiranë. Telefonata e Irmës, zëri ngashërues i saj diçka më këputi në zemër atë mëngjes. Këtë radhë, ti “gabove vërtet”. U bashkuan tek unë në çast monologu dhe dialogu dhe të flas thjesht, thjesht siç ka qenë dashuria e prindërve të tu, thjesht siç ka qenë dashuria që ata të rritën ty dhe ajo dashuri që ju bashkoi ju të gjashtëve. Të shprehem thjesht si shoqëria dhe miqësia jonë, si dashuria që ju ngrohu ju, të gjashtëve në të ftohtë, u rrotullua mes jush, ju qetësoi dhe shpesh ju lumturoi.
Atë dashuri ti e solle të pastër në familjen që ti krijove me Pjetrin, që e adhurove dhe që ta kthehu atë adhurim me fisnikëri, me Irmën tendë lule dhe thesar. Po të shprehem ashtu si çuçurisnim kur ishim pesë vjeçe, ashtu si pëshpëritnim në adoleshencë, ashtu si flisnim vesh më vesh në rininë tonë dhe më pas kur bisedonim për vajzat tona. Nuk po të flas me fjalë të mëdha se e madhe u bëre vetë ti, arrite të madhërishmen ti vetë, atë të madhërishme që do ta kishte zili mbretëresha rrethuar me diamante dhe miliarderi zhytur në miliardat e veta.
Kjo u tregua thjesht kur njerëzit ngrinë kur dëgjuan atë lajm, kur u ngulën me orë të tëra para ekraneve të televizorëve duke shpresuar pavërtetësinë e atij lajmi kobzi. Asnjëherë lulishtarët nuk kanë shitur aq shumë lule sa sot, asnjëherë sheshi para pallatit dhe shkallëve të operës nuk do të kishin ndier aq shumë këngë, që mblidheshin aty pa lisat, pa urdhër… Sa larg të kam mikja ime, por sa afër më je dhe sa pranë do të të kem… Të dua fort. Leta”
Takimi i parë
“Sapo kisha mbushur 5 vjeçe e gjysmë, kur Bardha, motra ime, iu lut babait të më merrte në shkollë edhe mua. Nëna na veshi bukur e pastër dhe unë, shumë kureshtare, desha të shoh e të fiksoj gjithçka që shihja gjatë rrugës. Motra më la në një klasë të madhe, në duar të një gruaje me flokë të bardhë, çuditërisht shumë të bukur, zonjushës Sofi. Klasa qe e ndarë në dy rreshta, në njërën grupi i foshnjores, ku u ula unë, dhe rreshti tjetër i klasës së parë. Hodha sytë përqark dhe i ndala te një fytyrë e njohur, që e kisha parë kur shkoja me nënën tek Abllaja.9 Ishe ti. Cila? Më pas dolëm nga klasa dhe, sipas sistemit të atëhershëm të shkollës, duhet të bënim disa orë pushim, sepse sërish mësimi fillonte pasdite. Ti erdhe bashkë me mua në shtëpinë time.
Duke ecur, lëvizje kokën djathtas e majtas, shihje çdo gjë që na dilte përpara dhe, kur arritëm në shtëpi, the se nuk kishe qenë asnjëherë në këtë lagje. Qe ditë shtatori, shumë ngrohtë dhe shumë bukur. Si tani më kujtohet se, sapo arritëm te porta e oborrit the: “Oborri im është më i madh!”. U kape te hekuri i portës dhe rrotulloheshe atje, pa e parë nënën time, që të shihte me vërejtje. Unë të njoha me prindërit e mi dhe babai tha: “Shoqja jote e re do të hajë sot me ne”. Qe hera e parë që hëngrëm bashkë dhe unë druhesha se a do të pëlqente ajo që nëna ime pati përgatitur. Qe hera e parë, se të tjerat nuk numërohen.”
Burimi: Shqiptarja.com