Olsi Ballta

Olsi Ballta

Kush je ?
Olsi Ballta
Kontakti i parë me muzikën ?
Klasa e pestë në tetëvjeçare (Bon Jovi, Scorpions, GNR, Queen, Michael Jackson (këtë e kam pasur në shirit me bobina)
Çfarë instrumenti luan?
Kam dashur gjithmonë të mësoj kitarrën*. Në vit të parë Lice vendosa ta filloj, po profesorit të kitarrës që jepte mësim në Pallatin e Pionerëve, i vdiq i ati. Ters komplet dmth. Këndoj që prej 1995, duke filluar modestisht në dush, pastaj u zhvendosa në dhomën time të gjumit nga ku llaftarisja komshinjtë me një magnetofon me karaoke dhe prej aty vokalist me Crossbones. * aq pak kitarrë sa luaj, ia di për nder shokut tim të vjetër dhe ish pjesëtar i Crossbones, Eduart Dashi. To be continued…
Si nisi dashuria për muzikën?
Besoj në vit të parë Lice (Jordan Misja) pasi u prezantova me Metallica. Në fakt, këtu lindi më shumë dëshira për të krijuar një bandë rroku. Një vit më pas e realizova dhe e vazhdoj me të njëjtin pasion dhe përkushtim.
Çfarë eksperience muzikore keni? (projekte banda, live etj)
Crossbones prej 1996 – Themelues/Vokalist/Lyricist/Songwriter
Në 1998 kam marrë pjesë në festivalin e RTSH së bashku me Kristi Popa dhe Foel Grillo me këngën “Egnatia 8” (Tekst dhe muzikë e Kristi Popa). Kënga fitoi çmim për deputuesin më të mirë, që në fakt u nda me grupin ‘Ilirianët’.
5 Artistet/Bandat e preferuara?
Hendrix, The Doors, Black Sabbath, Metallica, Pantera, Sepultura, Alice In Chains, Faith No More, Soundgarden, Pearl Jam, RATM, Depeche Mode, The Cure, David Bowie, Beastie Boys, Pink Floyd, Paradise Lost…listë e gjatë
Artistet që kanë ndikuar më shumë tek ty?
Black Sabbath, Metallica, Pantera, Sepultura, Faith No More, Korn, Alice In Chains, Pearl Jam
Zhanri që do ta shohësh të vdesë mizorisht?
Nuk urrej asnjë…live and let live.
Albumi që do të luhet në funeralin tënd?
Nuk besoj se do kishte nge njeri të dëgjonte një album të plotë, po një këngë besoj që po. ‘Easy’ versioni i Faith No More.
Pse muzika shqiptare ka degraduar?
Do thoja që i është vënë shkelmi muzikës së mirë shqiptare sepse është më e thjeshtë dhe e shpejtë të fitohet me turlitë dhe imam bajallditë që injektohen ne veshët e konsumatorit mesatar. Mbase mileti këtë gjellë do. Po, se i vinin përpara edhe ndonjë pjatë tjetër sa për varacion, nuk do ishte keq. Për më tepër, sistemi i vlerave në shoqërinë shqiptare ka 30 vjet që minohet sistematikisht dhe muzika nuk kishte pse të mos servirej me garuzhden e çorbës së prishur.
Muzikanti më i madh shqiptar është?
Më pëlqen Aleksandër Lalo – Kompozitori i disa prej kolonave zanore më të mira të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
Ëndrra në sirtar?
Pilot i Forcave Ajrore Shqiptare (kshu është kur shef Top Gun në vegjëli)
Live yt i preferuar (që keni performuar)?
Ka shumë ndër vite gjithsesi po përmend një pjesë shumë të vogël. Balkan Underground Music Festival, 19 Dhjetor 1999, Shkup (MKC) / What’s Up Fest, 5 Tetor 2007, sheshi ‘Nënë Tereza’ / Telekom Open Air, 25 Korrik 2015, sheshi ‘Nënë Tereza’ Tiranë / Rockstock Music Festival, 25 Shtator 2015, sheshi ‘Nënë Tereza’ Tiranë / Steelwings Moto Fest, 17 Qershor 2016, shesh ‘Italia’ Tiranë / Anibar Festival, 19 Gusht, Pejë Kosovë / Krivoi Rog Ukraine, 21 Prill 2018, Ukraine Tour / Flex Fest Open Air, 6 Korrik, Arad Rumani.