07 Shk Muzika në zi, ndërron jetë Nexhmije Pagarusha, “Bilbili i Kosovës”
Muzika shqiptare ka humbur sot një nga zërat e saj më të bukur. Këngëtarja e njohur Nexhmije Pagarusha ka ndërruar jetë sot në moshën 86- vjeçare.
E njohur si “Bilbili i Kosovës”, Pagarusha për 40 vite ajo i dha aq shumë muzikës shqiptare. Një nga zërat më të veçantë, ajo që vijon të frymëzojë artistët e rinj, Nexhmije Pagarusha, ndahet nga jeta në moshën 86 vjeçare.
Përtej zërit dhe interpretimeve të jashtëzakonshme që Pagarusha lë në historinë e muzikës shqiptare, ajo me një portret dhe staturë prej artisteje, kërkohet jo vetëm në opera, por edhe në produksionet kinematografike e skenat teatrale.
Me një jetë tepër aktive, Pagarusha nuk i mungoi asnjë vit publikut shqiptar, pasi sillte e risillte hitet e saj edhe në klipe të reja.
Në 40 vite karrierë, kjo artiste që studioi në Beograd, nuk interpretoi vetëm Puccinin dhe Verdin, por i la muzikës shqiptare këngë si Baresha, Zambaku i Prizrenit, Ke selvitë, E dehur jam, ndërsa mendohet se me zërin e saj janë regjistruar rreth 150 materiale muzikore.
Burimi: A2 News