Ergi Shkëlzeni

Ergi Shkëlzeni

Kush je ?
Ergi Shkëlzeni quhem. Se kush jam nuk e di.
Kontakti i parë me muzikën ?
Kur kam qenë i vogël, mbaj mend videoklipet nëpër tv dhe një nga videot që e kam pasur frikë po dhe nuk ia hiqja sytë ka qenë video e “Around The World” e Daft Punk. 16 vjeç nisa të njoh kitarën e të luaja bashkë me të tjerë në ato banda që formonim, por kontakti i parë me magjinë e muzikës është kur ke nisur të krijosh e nuk e ke kuptuar.
Çfarë instrumenti luan?
Bass . Edhe instrumente të tjera, por Bassi ka qënë zëri im për kohën më të gjatë.
Si nisi dashuria për muzikën?
Duke u bërë kurioz për botën e brendshme dhe se si shfaqja e saj mund të krijojë ketë lloj komunikimi.
Çfarë eksperience muzikore keni? (projekte banda, live etj)
Bandat ku kam qenë pjesë:
R.A.Y Band, Neverland, TrAvel pLan, Quintessence, dhe patjetër Threefiftysixam që më ka bërë të njoh dhe njëkohësisht të jap një pjesë timen. Që prej vitit 2015 kemi patur një numër të konsiderueshëm koncertesh, eksperimentesh, dy EP të finalizuara dhe pafund improvizime që s’do përfundohen kurrë.
5 Artistet/Bandat e preferuara?
Mund të listoj: Radiohead, Pink Floyd, David Bowie, The Strokes, Daft Punk.
Artistet që kanë ndikuar më shumë tek ty?
Një listë e bëra pavarsisht se nuk më pëlqejnë listat kështu që për ndikim do thoja se e kam marrë ndikimin nga çdo lloj muzike që kam dëgjuar, me dashje apo pa dashje.
Zhanri që do ta shohësh të vdesë mizorisht?
Nuk e kam me asnjë zhanër problemin. E kam me ata që e shohin muzikën si sport ose si çelës fame boshe. Si dhe për ata që e përdorin si grep për të peshkuar mirëqenie pa i ndërruar krimbin e si pasojë krijohet një kulturë krimbash të kalbur.
Albumi që do të luhet në funeralin tënd?
Sigur Rós – Ágætis byrjun
Pse muzika shqiptare ka degraduar?
Mund të themi që arti nuk vlerësohet aq sa ka nevojë për të mbijetuar. Mund të themi dhe që nuk kemi art të mirë e prandaj nuk vlerësohet. Nëse nuk krijojmë, nëse nuk kuriozohemi, nuk suportojmë, nuk bashkëpunojmë, nuk duam, patjetër që do degradojmë. Kështu që duhet të bëjmë disa ndryshime.
Muzikanti më i madh shqiptar është?
S’ka muzikant më të madh. Të gjithë ata që kanë krijuar duke e dashur këtë formë arti e kanë derdhur shpirtin në të, janë të gjithë të mëdhenj.
Ëndrra në sirtar?
Brenda sirtarit kam një sirtar tjetër, pastaj një tjetër, e kshu dmth. Nuk jam duke u marrë me sirtare.
Live yt i preferuar (që keni performuar)?
Live im i preferuar nuk ka ndodhur akoma.