Marsid Kala

Marsid Kala

Kush je ?
Marsid Kala, 23 vjeç, i lindur në Tiranë.
Kontakti i parë me muzikën ?
Kam nisur me muzikën prej një kitare që kishte sjellë im atë në shtëpi. Fillova ta mësoj. E kisha të lehtë pasi muzikën e kisha studiuar me dëshirë që në fillore.
Çfarë instrumenti luan ?
Me shumë dashuri luaj kitarën bass që prej vitit 2012. Megjithatë gjëra të vogla mund të luaj pothuajse në çdo instrument.
Si nisi dashuria për muziken?
Kjo nuk më kujtohet.
Çfarë eksperience muzikore keni ? ( projekte banda, live etj )
Retrospektiva ishte grupi i parë. Në fund të 2012 u formuam. Samuel Nikolli, Luiz Mema dhe Endi Çekani. Kemi bërë disa live nëpër lokale të Tiranës.
Më pas grupi Static Air ku ndjehej që na kishte dalë emri. Endri Dibra, Brian Mezini, Andi Lazaj, Regi Gugallja dhe më pas Andi Kala. Përveç liveve të zakonshme në Tiranë, arritja jonë ishte kur morëm pjesë në Ngom Fest në Prizren kryesisht me prodhimet tona dhe në Bulza Live Session në RTSH ku prezantuam për herë të parë kompozimet tona.
Që prej dhjetorit 2017 e deri tani jam pjesë në projektin Nândhè. Heavy Metal Folk. Me pjestarë Rei Pema, Brian Mezini dhe Andi Kala. Kemi publikuar këngën Brirët e Artë në bandcamp, akoma pa videoklip. Kemi kompozuar 5 këngë deri tani të cilat do i regjistrojmë dhe publikojmë së shpejti. Çdo gjë në lidhje me këtë projekt duket premtuese deri tani dhe do bëj ç’të jetë e mundur ta arrijmë atje ku duam.
U bëra pjesë dhe e formimit të grupit Who Knows për disa muaj ku pata disa live me ta, po për shkak se ishte si grup paralel ndërkohë që isha pjesë e Nandheut, nuk munda ta menaxhoj dot kohën të vazhdoja me ta.
Janë dhe shumë bashkëpunime të vogla për live akustike ndër vite në evente të ndryshme.
5 Artistet/Bandat e preferuara ?
Është një përzgjedhje për pothuajse çdo rrymë të preferuar, nuk përzgjedh dot 5 më të preferuarit.
Chopin
Hans Zimmer
Slipknot
Uaral
Blackmore’s Night
Artistet që kanë ndikuar më shumë tek ty ?
Bojken Lako është emri që do e përmendja pa asnjë dyshim.
Albumi që do të luhet në funeralin tënd ?
Albumi Sound of Pain nga Uaral. Mëse i përshtatshëm.
Pse muzika shqiptare ka degraduar ?
Muzika shqiptare përshtatet me tregun shqiptar, me popullin. Artistët bëjnë atë çfarë shohin se populli do sepse shumë prej tyre muzikën kanë profesion …dhe me muzikën “ushqehen”. Problemi qëndron te kultura shqiptare, jo te artistët. Artistët që nuk përulen para kësaj zgjedhjeje bëjnë një sakrificë sublime.
Zhanri që do ta shohesh të vdesi mizorisht ?
Është një K-Pop. Pse ekziston?! Kancer.
Muzikanti më i madh shqiptar është ?
Pyetje ambige. Nuk e di kush është artisti më i madh bazuar në suksesin që i kanë prodhimet. Megjithatë në këndvështrimin tim duke parë artistë “të mëdhenj” bazuar në atë që unë konsideroj kualitative në artistët e kohës, do të përmendja Mirgen Hubën, Kastro Zizon, Bojken Lakon, Orges Shehun, Vitmar Bashën, Jericho, Troja… Këta më vijnë ndërmend kur më bën këtë pyetje.
Endërra në sirtar ?
Ëndrra ime është në sirtar të hapur. Të ketë më shumë shqiptarë që kundërshtojnë të dëgjojnë rrymën aktuale komerciale në Shqipëri. Të ketë më shumë hapësirë për koncerte. Dhe sigurisht dua sukses për Nandheun.
Live yt i preferuar ( që keni performuar ) ?
Në Ngom Fest në Prizren ishte emocionuese të dëgjoje grupin Jericho të na brohoriste “Edhe njo”.
Ndërsa një tjetër moment kur luajtëm kolonën zanore të filmit Skënderbeu në kalanë e Krujës me Nandheun. Janë të paharrueshme.