Çesk Zadeja, kompozitori që shënoi fillimin e profesionalizmit në muzikën shqiptare! In memoriam! – Nga Metila Dervishi

Çesk Zadeja, kompozitori që shënoi fillimin e profesionalizmit në muzikën shqiptare! In memoriam! – Nga Metila Dervishi

Jeta dhe disa nga tiparet  bazë të stilistikës së gjuhës së tij muzikore.

Çesk Zadeja (1927-1997) i përket brezit të parë të kompozitorëve profesionistë shqiptarë. Që në fëmijëri u aktivizua në jetën amatore të qytetit të tij (Shkodër), nën drejtimin e Martin Gjokës dhe Preng Jakovës (Shupo.2002:306).

Në vitet 1941-1943, studioi për trombë në ˝Accademia di Santa Cecilia˝ në Romë, Itali. Me rikthimin në atdhe bëhet përgjegjës muzike pranë Radio ˝Shkodra˝. Në vitet 1949-1951, kryen shërbimin ushtarak me funksionin e dirgjentit pranë ˝Ansamblit Artistik të Ushtrisë˝.  Me krijimin e mundësive dhe kushteve në vend shkon në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, për t’u formuar më tej profesionalisht.

Në vitet 1951-1956 studion për kompozicion pranë «Московская государственная консерватория имени П. И. Чайковского» (Konservatori Shtëtëror i Moskës i quajtur P. I. Çaikovskij). Gjatë periudhës studentore ai kompozoi kantatën ˝Atdheu im˝ (1955) dhe ˝Simfonia Nr.1˝ (1956), me të cilat dëshmoi seriozitetin dhe formimin e tij si profesionist. Nga këto dy vepra, një vend të rëndësishëm dhe të veçantë, mban e dyta. Simfonia është cilësuar si vepra e parë e kësaj gjinie nga historianët e muzikës shqiptare dhe merret si pike referimi për nisjen e muzikës profesionale shqiptare. Menjëherë pasi kthehet në atdhe Zadeja nis punën si udhëheqës artistik në ˝Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore˝, vitet 1957-1962. Ky institucion, i pari dhe i vetmi i këtij lloj në Shqipëri, shërbeu si model për formimin e ansambleve të tjera në rrethe dhe në ndërmarrje të ndryshme prodhimi. Zadeja dha një kontribut, jo vetëm si drejtues, por edhe në krijimin e këtij ansambli (Klement.2004:16).

Në vitin 1962 Zadeja do të ishte pjesë e një ngjarjeje tjetër, mjaft të rëndësishme për historinë e muzikës shqiptare. Ai së bashku me figura të tjera të kohës ngritën ˝Konservatorin Shtetëror të Tiranës˝, duke u bërë pedagogu i parë në lëndët, kompozicion e polifoni, pra, një ndër figurat themeluese të shkollës së lartë muzikore shqiptare.  Në vitet 1965-1966 emërohet udhëheqës artistik pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, por pa u shkëputur nga Konservatori. Më pas (1966-1972) emërohet në Konservator, i cili në këtë periudhë ishte kthyer në: ˝Instituti i Lartë i Arteve˝ (sot Universiteti i Arteve), me statusin e kryetarit të degës së muzikës.

Më 1972 është kompozitor në profesion të lirë. Gjatë viteve 1973-1979 rimerr pozitën e udhëheqësit artistik në TOB. Më pas përsëri nga 1979 deri më 1990 del si kompozitor në profesion të lirë.

Në vitet 1993-1994 në Akademinë e Arteve, veç lëndës së kompozicionit jep dhe muzikologji (Shupo.2002:306).  Zadeja ushtroi deri në fund të jetës një aktivitet të pandërprerë pedagogjik, duke dhënë kontribute të shquara në formimin e brezave të rinj të kompozitorëve shqiptarë. Nga klasa e tij kanë dalë figura të rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si: Tonin Harapi, Kozma Lara, Thoma Gaqi, Shpëtim Kushta, Kujtim Laro, Limos Dizdari, Sokol Shupo, etj.  Ndërsa përsa i përket krijimtarisë së Zadejës, ajo është e pasur në vepra të të gjitha gjinive të muzikës, që nga kënga deri në veprat skenike, duke zenë një vend të rëndësishëm në literaturën muzikore shqiptare. Përmendim këtu: Muzikë vokale: Kantata ˝Atdheu im˝ (1955), ˝Suitë për Kor e Okestër˝ (1978), ˝Suitë Vokale Simfonike për kor, solist e orkestër˝ (1979); Muzikë orkestrale dhe instrumentale: ˝Simfonia Nr.1˝(1956), Suitë nga baleti ˝Delina˝ (1964), Koncert për piano e Orkestër (1968), Sonata për Violinë e Piano (1974), Suitë Simfonike ( 1975), Suitë me tre kohë për Orkestër Harqesh ( 1982), etj, etj. Muzikë skenikë: baleti ˝Delina˝ (1964) (Kalemi.1982:76-84); ˝Para Stuhisë˝ (1989). Krijimtaria e Zadejës ka influencuar ndjeshëm në formimin e kompozitorëve dhe njëkohësisht ka qenë pjesë e pandarë e jetës artisitike në vend. Këtë e dëshmojnë dhe shumë çmime e vlerësime. Përmendim këtu, si më të rëndësishmet, ˝Artist i merituar˝ (1961), ˝Artist i Popullit˝ (1975) dhe ˝Çmimi i Republikës i Shkallës I ˝ (1979) (Shupo.2002:307). Veç të tjerash Zadeja ka qenë dhe mjaft aktiv në diskutime, mendime, reçensione të ndryshme në shtypin shqiptar, i pranishëm në mjaft juri; pra një figurë e pandashme e jetës artistike në vend, duke u shfaqur herë-herë dhe si kritik muzike. Çmimi ˝Naim Frashëri˝ i klasit të parë (1970), nuk i është dhënë vetëm për krijimtarinë, por edhe për fushën e kritikës muzikore (Kole.2004:19). Dhe meqë jemi te kjo fushë, është e rëndësishme të thuhet që pas vdekjes së kompozitoirit, është botuar një libër i tij, titulluar ˝Vetparja e Procesit˝, 1997, Ufo University Press, Tiranë. Një libër mbi kompozicionin, që fatkeqësisht nuk e pa dritën e botimit kur Zadeja ishte gjallë.  Disa prej krijimeve të Zadejas, janë ndër veprat e para në historinë e muzikës shqiptare. Muzika e tij ka influencuar dukshëm tek një sërë kompozitorësh të tjerë shqiptarë dhe është luajtur në të gjitha aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore.

Vepra e parë me rëndësi e e krijimtarisë së Zadesë është Simfonia në La -, e cila mban një peshë reale historike në zhvillimet e muzikës shqiptare, pasi përcakton përfundimisht fillimin e një faze të re krijuese, që la pas gjysëm profesionalizmin e mëparshëm. Para kësaj vepre Zadeja kishte krijuar pak vepra kryesisht vokale, por edhe orkestrale, që kishin dëshmuar prirjet e kompozitorit, si edhe një orientim timbrik të ndjeshëm nga folklori muzikor, kryesisht verior shqiptar. Zadeja edhe brezi i tij e menduan formimin e muzikës në vend si një traditë kombëtare. Kjo është ajo çka vihet re gati në tërë veprat e viteve 50-80, pa pasur parasysh shkallët e arritjes artistike. Zadeja ishte padyshim ndër më të spikaturit në këtë drejtim, mbasi ai e krijoi origjinalitetin e shprehjes muzikore mbi bazën e disa marrëdhënieve shumë interesante që mbajti me folklorin.  Dhe koloriti folklorik ka qenë një nga veçoritë më tipike të Zadejas prej nga krijoi një gjuhë të pasur muzikore

Disa tipare mjaft të rëndësishme të krijimtarisë së tij po i rendisim më poshtë.  

Bifuksionaliteti i vazhdueshëm, i ndërtuar mbi bazën e marrëdhënieve të krijuara prej tij. Sheshimi i raporteve maxhor-minor, gjë e cila realizohet zakonisht nëpërmjet përdorimit të akordeve pa tercë. Evitimi i kësaj të fundit, si edhe origjina shpesh herë modale e materialeve muzikore, krijon një shprehje harmonike që i shmanget standarteve tipike tradicionale. Tipar tjetër, që ka të bëjë me një marrëdhënie tjetër bifunksionale, e cila  s’ka  lidhje me akordet, por me konceptin, është bashkëjetesa midis harmonisë dhe melodisë, akordeve ose tingëllimeve me bazë modale dhe harmonisë funksionale. Pra, kemi bashkëekzistencë të sistemit modal e të atij kromatik funksional.  Përdorimi i pedalit është një tjetër element që e hasim në veprat e tij.. Zakonisht pedali, përsa i përket harmonisë, është në tonikë, por ka edhe ndryshime.  Karakteristika më e veçantë e Zadesë lidhet me bashkëjetesën e elementëve nga burime folklorike të zonave të ndryshme dhe i shkrirjes organike mes tyre. Shpesh herë autori i drejtohet modeve pentatonike, duke ruajtuir ndërkohë struktura me origjinë nga folklori verior shqiptar.  Në përdorimin e pentatonit, kujtojmë Monologu i Arbanit, nga baleti ‘Delina’, tek i cili kemi një shkrirje të muzikës ë Shqipërisë së veriut me marrëdhëniet harmonike që burojnë nga pentatoni i harmonisë së jugut.

Në përgjithësi, kur dëgjon veprat e Zadesë, nga ana intonative të krijohet përshtypja se lidhet me muzikën e Shqipërisë së Veriut, por nëse tingujt dhe akordet shqyrtohen në mënyrë më analitike, atëherë do të vihet re se në fakturën harmonike ka shumë elemente të polifonisë shqiptare të jugut: krahas pentatonit, edhe principi i isos pedal. Seleksionimi i elementeve të folklorit është bërë mjaft mjeshtërisht nga Zadeja. Gjithashtu, ai preferon të shfrytëzojë ngjyrat timbrike të instrumentëve tradicionale si, çiftelia, daullja etj, si edhe përdor ritme të valleve popullore. Përsa i përket lidhjes së drejtpërsëdrejtë me aspektet melodike të folklorit, kjo nuk përbën aspak një karakteristikë për Zadejan. Ai pra nuk krijon marrëdhënie të stilit melodik me folklorin përmes huazimeve të materialeve të llojit. Por, nga ana tjetër, në tingëllim, muzika e tij ka një shprehje të spikatur shqiptare. Pra, Zadeja i ka bërë një përvetsim në një mënyrë tjetër burimeve që vijnë nga muzika popullore. Ai është marrë me qëmtimin e elementeve tipikë të folklorit, të cilët i nënshtrohem një përpunimi shumë analitik në gjuhën muzikore. Pra, edhe pse s’kemi në asnjë rast material të cituar nga folklori, në veprat e tij kemi një tingëllim tipik shqiptar. Siç dihet ngjyrën apo veçorinë muzikës ia jep harmonia, ndërsa muzikës popullore ia jep modi. Pikërisht këtë rrugë ka zgjedhur Zadeja, ka marrë strukturën e modit për të arritur shprehje muzikore me një relief të spikatur shqiptar.

Ky fenomen, që porsa folëm paralajmërohet ndjeshëm tek koha II-të e Simfonisë. Ku ka një shprehje epike jashtëzakonisht të koncentruar, arkaike do të thonim. Këtu s’ka absolutisht asnjë citim. Por këtu ai ka përdorur dorianin si mod, ka futur struktura të pentatonit, si dhe ka përcjellë imitacione në orkestracion. Në pikëpamje të tingëllimit, këtu krijohet një ngjyrë krejtësisht tjetër, për shkak të timbrikës që është zgjedhur, kryesisht përmes imitimit të një instrumenti si lahuta. Tek Zadeja mund të bëhet fjalë edhe  për një harmoni të kuartave, e cila e ka origjinën nga strukturat modale që kryesisht i shfrytëzon nga pentatoni i jugut. Edhe ky element përbën sigurisht një aspekt mjaft të rëndësishëm, sepse akordet e përbëra me kuarta nuk mund t’i klasifikojmë brenda harmonisë funksionale, por brenda asaj modale. Çështja e kuartave dhe kuintave në akordik shprehet edhe në anën melodike, siç është  p.sh te koha II e Simfonisë apo te Koncerti për Piano, ky i fundit i kompozuar disa vite më pas.   Midis kompozitorëve shqiptarë të gjysmës së II të shek.XX, që kompozuan muzikë të tipit tradicional (tonal), Zadeja dallohet si një kompozitor i një shprehjeje jomelodike në veprat e tij, sidomos mbas viteve ’60. Kjo ka bërë që shumë studiues ta cilësojnë Zadejan si  një kompozitor krejtësisht harmonik.  Dalja nga rregullat e harmonisë klasike erdhi  duke u thelluar gjithnjë e më shumë në kompozimet e tij.  Aspekti melodik i veprave të tij është  tepër i shkrirë me fakturën harmonike.

Pra përsa i përket gjuhës muzikore të Zadejas, arrijmë në përfundimin se ka përdorur një gjuhë të shpesh herë mjeshtërore dhe interesante, e cila bën që ai jo vetëm  të dallohet nga kompozitorët e tjerë, por të shquhet për profesionalizmin e lartë artistik. Zadeja mund të cilësohet si një kompozitor nacional, por jo sipas stilit të kompozitorëve kombëtarë të shek.’19, por me një gjuhë të moderuar, e cila mbështetet mbi rezultatet që solli muzika perëndimore në fund të  shek. ’19 e në fillim të shek.’20. Pra,  mund të thuhet se, ashtu siç u veprua në shkollat europinae, ku kompozitorë të shquar të shek ʹ19 krijuan shkollat nacionale të vendeve përkatëse,  me muzikën e tij, Zedeja  bëri një adaptim të shkollës nacionale në rrethanat e shekullit ’20.

Burimi: Voal.ch