Alqi Boshnjaku, 21 vjet pa poetin e çmimeve të para

Alqi Boshnjaku, 21 vjet pa poetin e çmimeve të para

“Vjen si klithmë zemre/Mos urre në jetë/Larg nga ne urrejtje, “Të urrej”/ Vjen dëshirë zemre, dashuro në jetë/Sa m’u lodh kjo fjalë, ky shpirt..”. Në ditët e marrëzisë së vitit 1997, Alqi Boshnjaku u bënte thirrje shqiptarëve për dashuri. E pamundur të mos prekeshe nga ajo thirrje e sinqertë dhe zëri i Elsa Lilës.

Por vargjet e Boshnjakut ishin gjithnjë të ndjera, edhe kur i këndonte dashurisë së zemrës, edhe kur i këndonte nënës, kur i këndonte jetës… Ndaj edhe kompozitorët dhe këngëtarët më në zë të kohës, viheshin në garë për vargjet e tij. Vargje të një thellësie që, sot, fatkeqësisht u mungojnë këngëve të sotme. Për këtë, por edhe për mirësinë që u dhuronte të afërmve dhe kujtdo që kishte pranë, Alqi Boshnjaku u mungon të gjithëve tash e 20 vjet. Kaluan dy dekada qëkurse poeti Alqi Boshnjaku u nda nga jeta para kohe. E megjithatë, ende sot, kujtohen këngët me tekstet e tij si “Larg urrejtjes”, “Mos u nxito”, “Të sotmen jeto”, “Pesha e fatit”, madje edhe kënga e kënduar nga Dashnor Diko, “Si banania”. Të gjitha çmime të para.

Siç rrëfejnë të afërmit e tij, Alqi e merrte frymëzimin për këngët nga e përditshmja, nga njerëzit e dashur. Zoti e bekoi Alqin me një vajzë, Amoela, e cila ishte pika e tij e dobët, dashuria e tij më e madhe e jetës. Shumë prej teksteve të këngëve të tij janë frymëzuar nga vetë jeta e tij, ndaj janë aq aktuale dhe me shpirt. Nëna, një tjetër dobësi e Alqit, të cilën ai e kishte idhull deri në fund të jetës, u be motiv i këngës “Simfonia e nënës”, e cila njihet për dashurinë dhe ndjenjën e thellë që përcjell.

POETI E REGJISORI

Alqi Boshnjaku lindi në Sarandë, më 25 dhjetor të vitit 1954. ishte djali i madh i një familjeje të vogël për kohën, të përbërë nga i ati, Fane, nëna Eli dhe vëllai, Arian. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1978. Në fëmijëri është aktivizuar me grupet e këngës në “Pallatin e Pionierëve”. Fillesat e tij si regjisor i pati me grupet amatore të shkollave të mesme të Tiranës, “Qemal Stafa” dhe “Sami Frashëri” në vitet 1976-1979. Nga viti 1979- 1985 ka qenë regjisor i Estradës së Ushtarit. Në vitet 1979-1989 ka shkruar dhe ka vënë në skenë premiera të estradave të Peshkopisë, Durrësit e Elbasanit, si “O burra një burrë”, “Shtëpia e zezë”, etj. Ka qenë gjithashtu asistent regjisor në disa filma si: “Emblema e dikurshme”, etj. Me vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri, Alqi u bë drejtues dhe ideator i grupeve të para të muzikës moderne si: “Arting”, “Spirit Voice”, etj. Nga viti 1990 deri në vitin 1998 ka qenë redaktor dhe koordinator letrar në të gjitha festivalet e Këngës në RTSH. Kulmi i krijimtarisë së tij artistike shprehet me pjesëmarrjen si autor tekstesh në të gjitha Festivalet e Këngës dhe Koncertet e Pranverës, që nga viti 1990 deri në vitin 1998. Për cilësinë e penës së tij, për aktualitetin dhe mbi të gjitha ndjenjën që përcillnin tekstet e këngëve të tij, është nderuar me shumë çmime kombëtare, madje edhe ndërkombëtare. Këngët me tekste të Alqi Boshnjakut janë vlerësuar 8 herë me çmime të para. “Larg urrejtje” u shpall jo vetëm fituese e çmimit të parë në Festivalin e Këngës në vitin 1997, por u kurorëzua edhe me çmimin “Grand Prix” në Varna, Bullgari, vetëm një vit më vonë. Edhe më tej, suksesit të kësaj kënge i shtohet çmimi i dytë i Festivalit “Voice of Asia”, i mbajtur me 30 korrik -5 gusht 1998. Në planet e tij ishte botimi i një libri me tekstet e këngëve të shkruara prej tij, por nuk arriti ta përfundonte. Me ndihmën e familjes, shtëpia botuese ‘Onufri’ arriti ta botonte, me rastin e 1-vjetorit të vdekjes së tij, librin me titull “Larg Urrejtjes”. Alqi Boshnjaku u nda nga jeta në 20 shtator 1998.

BASHKËPUNËTORËT: PENA E TIJ, GARANCI SUKSESI

Valentin Veizi: “Alqi Boshnjaku, poeti që tingullit diti t’i japë kuptimin e vërtetë, poet që melodinë e beri të flasë me gjithë forcën e saj, poeti që në këngën e tij teksti dhe muzika mishërojnë njëra-tjetrën, në përsosmërinë e tyre, aq sa këto elemente s’mund t’i ndash kurrë nga njëri-tjetri”.

Aleksandër Gjoka: “Për mua, firma e Alqi Boshnjakut qe një garanci për sukses. Të gjitha çmimet e mia i kam të lidhura me të”.

Osman Mula: “Gjithë emocionet e bukura të jetës sime; sukseset dhe çdo ditë e re që lindte tek unë, niste me Alqi Boshnjakun”.

Sherif Merdani: “Alqi Boshnjaku është poet i muzikës dhe muzikant i poezisë”.

Ardit Gjebrea: “…ka vargmale. … ka vargje. … ka vargëndrra. … ka vargdhembje. Të gjitha në një varg… Alqi Boshnjaku”.

Luan Zhegu: “Një ekspresiv dhe pasionant i çmendur. Kur bashkëpunoja me të, ngatërroja ditën me natën. Telefonatat pas mesnate ma bënin të pasigurt gjumin dhe të sigurt suksesin”.

KËNGË E BASHKËPUNIME

“Larg Urrejtjes”– Elsa Lila, 1997
“Mbi Mesdhe”, – Spirit Voice, 1997
“Fal” – Ledina Çelo, 1997
“Si banania”– Dashnor Diko, 1997
“Fuoristrada” – Spirit Voice, 1997
“San Valentino” – Ledina Çelo, 1996
“Të pranoj si je”– A. Gjoka, E. Deda, R. Makashi, 1996
“Kështu e ka jeta” – Alma Bektashi, 1995
“Simfonia e nënës”– Sherif Merdani, 1995
“Adoleshenca” – Lindita Matja, 1995
“Të sotmen jeto”- Mira Konçi, 1994
“Ti nuk më tradhton” – Alma Bektashi & A. Gjoka, 1994
“Dua të shkoj me atë që dua” – Shirli Polena, 1994
“Kam frikë nga dashuria” – Rovena Dilo, 1993
“Emocion” – Aleksandër Gjoka, 1993
“Herezia”– Françesk Radi, 1992
“Ike me dallëndyshet” – Manjola Nallbani, 1992
“Pesha e Fatit”- A. Gjoka, M. Nallbani, V. Tahiraj, 1992
“Rozeta”– Viktor Tahiraj, 1991
“Emigranti”– Irma Libohova, 1991
“Sagapo – Të dua” – Nertila Koka, David Tukiçi, 1990
“Miss Albania” – Grupi Arting
“Marinari” – Ema Qazimi, 1989
“Mos u nxito”– Anita Bitri, 1988
“Tre vëllezër” – Joro, Lena, Burba, 1987